PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË
PARTIA DEMOKRATIKE – DEGA BRITANI E MADHE
Londër, 26.04.2024
DEKLARATË
Kryesia e Partisë Demokratike, Dega Britani e Madhe denoncon papërgjegjshmërinë e pashembullt të qeverisë së Tiranës, me qëndrimet e mbajtura kundrejt aferave të panumërta. Sot ajo kryeson listën e skandaleve në gjithë hapësirën e Bashkimit Evropian, por mjerisht edhe në Ballkan, për çka nuk jemi krenarë. Ne kryesia e Partisë Demokratike, Dega Britani e Madhe, si përfaqësi politike e mërgatës e përjetojmë me shqetësim të madh situatën politike në Shqipëri.
Është jo vetëm e dënueshme por dhe antikombëtare sjellja e qeverisë, Partisë Socialiste dhe strukturave të saj ndaj lënies në arrest shtëpie të liderit të opozitës dhe më herët shpalljes së tij non grata, dy here ish kryeministër dhe president i vendit, duke konsideruar gjithashtu edhe të kaluarën dramatike diktatoriale të vendit. Socialistët nuk mësuan ti dallojnë qëndrimet kombëtare nga ato politike, edhe pse mundësia e pushtetit tashmë u është dhënë ose e kanë marrë disa herë radhazi në dekadat e pluralizmit.
Përzierja e saj e dallueshme në gjyqin farsë ndaj statusit legal të Partisë Demokratike, e njohur si”çështja e vulës” është dëshmi se si kjo parti nuk ndahet dot me të shkuarën.
Qeveria Socialiste e Tiranës është autore dhe ekzekutore e listës së punëve më të zeza në këto dekada pluralizëm:
- Sjellja e pashembullt dhe antikushtetuese, ndaj interesave të shqiptarëve në Ballkan nëpërmjet projektit famëkeq “Ballkani i hapur”, për të cilin janë harxhuar fonde të shumta, për kuadër ligjor, forume dhe aktivitete me shtetet e përfshira në këtë proces të fabrikuar;
- Marrëveshjet e dëmshme për emigrantët shqiptarë, rasti i emigrantëve shqiptarë në Britani, marrëveshja me qeverinë italiane për emigrantët në Shëngjin, etj;
- Hakerimi i të gjitha të dhënave dixhitale të shqiptarëve, përfshi ato personale, sistemin tims, ato bankare, etj
- Vjedha, shpërdorimi, dhe keqpërdorimi i miliona eurove, nëpërmjet incerenatorëve fantazmë;
- Asgjësimi i pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, përmes diktimeve në vendimet gjyqësore, blerjes së medias, ndërhyrjes në organizimin e institucioneve shkencore e botës akademike;
- Uzurpimi dhe tjetërsimi i tokave, nëpërmjet të ashtuquajturës “investime strategjike”, rasti më flagrant i ish ministres së jashtme, “imazhit” të përfaqësimit të Shqipërisë në botë;
- Vjedhja sistematike e votës, prishja e marrëveshjeve zgjedhore, duke ndërhyrë edhe në ato procese gjyqësore për trajtimin e fenomenit, siç ishte dosja 181.
- Kriminalizimi i kalsës politike, numri i zyrtarëve të lartë përfshi ish ministra, zv/kryeministrin, kryebashkiake e nëpunës të të gjitha niveleve, janë ose në arrati ose në burg (me dënime favorizuese), ose në hetime, sigurisht të komanduara nga lart.
- Skandali bashkiak i 5D, ku i gjithë zinxhiri i drejtorëve politikë të Bashkisë i kalonin kompanive të tyre paratë e buxhetit të qytetarëve të Tiranës, etj, etj.
Nuk ka shqiptarë të diasporës që të mos jetë ndjerë i fyer, pas një investigimi të medies italiane, rreth aferave të qeverisë Rama. Sikur të mos mjaftonin këto afera të padëgjuara, as kreu i qeverisë e as ai i bashkisë së Tiranës, jo që nuk dorëhiqen, por sfidojnë si institucionet ashtu edhe qytetaret. Ky është mesazhi më vdekjeprurës për të ardhmen e Shqipërisë dhe ecurinë e saj drejt BE-së.
Ne i konsiderojmë:
- Edi Ramën
- Erion Velinë
Si njerëzit më të përlyer në skandalet e mësipërme, pengesë serioze për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit. Ato do të jenë problemi kronik për Shqipërinë e nesërme, ndaj largimi i tyre me mjete demokratike sot, përbën emergjence kombëtare.
Nisma më e fundit “tur në diasporë” është tendencë për të fituar kohë e shmangur përgjegjësinë për situatën. Ndaj ne deklarohemi kundër këtyre vizitave fasadë, i quajmë të tilla pasi asnjë kërkese e jona ndër vite nuk është përmbushur.
Pse është nismë joserioze ?
- Ministria e Diasporës, përgjegjëse për fushën është suprimuar ;
- Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018-2024, është drejt mbarimit të afatit ligjor.
- Vota e Diasporës ende nuk është përfshirë në Kodin Zgjedhor;
Ne mbetemi të mendimit se përpara takimeve politike, lidershipi socialist duhet të dëshmojë pjekuri para interesave kombëtare, të japin dorëheqje dhe të kërkojnë votëbesimin e popullit, me zgjedhje të organizuara nga një qeveri provizore dhe e balancuar. Përpara fallcitetit, le ti dëshmojnë mërgatës se janë kopje e politikanëve të vendeve ku shqiptarët e diasporës jetojnë, pikërisht prej keqqeverisjes Rama, ku numri i të larguarve është i ngjashëm me një eksod biblik.
