Të nderuar miq, kolegë, zonja e zotërinj,
Sot nuk është një mbledhje e zakonshme, përkujtimoret apo përvjetorët janë dëshmi e vijimësisë, suksesit e bashkëpunimit, por mbi të gjitha e zellit për të bashkëndarë përgjegjësitë e të ardhmes.
Gjashtë vjet më parë, së bashku vendosëm dhe ja dolëm të krijojmë Degën e Partisë Demokratike në Britani, këtu në Londër. Veshi na është mësuar gjithmonë, si në dekadat komuniste por edhe pas viteve 90-të, me protagonizëm të fortë personalizues, mbi nisma të tilla. Ndoshta pohimi im mund të ju tingëllojë naiv, por përderisa e deklaroj përpara jush, pranojeni si një dëshmi.
Të nderuar miq,
Ne së bashku e ngritëm, themeluam dhe konsoliduam këtë degë.
Viti i fundit nuk ka qenë i lehtë për Partinë Demokratike, lidershipin e saj por as për demokratët kudo si në Shqipëri dhe diasporë. Akumulimi prej vitesh i dështimeve zgjedhore, promovimit pa garë dhe alternativë i një grupimi njerëzish në krye të PD, parlament dhe anashkalimi i kontribuuesve shumëvjeçarë solli një molizje të partisë dhe një mosinteresim për protagonizëm të shumë figurave politike, situatë që solli një dobësim të madh në jetën politike të Partisë Demokratike.
Rithemelimi i PD një vit më parë, nëpërmjet vënies në lëvizje të institucionit ANTARËSI , me mbështetjen masive të mijëra demokratëve ishte një leksion e precedent demokracie. PD ndryshoi kurs nga rruga pa krye ku kishte përfunduar, proces ky që po vijon edhe sot e kësaj dite. Ne si degë do të përpiqemi që të ruajmë staturën tonë, cilvile dhe demokratike në mbështetje të PD me në krye Dr. Berishën, si dhe figurave të tjera që gëzojnë mbështetjen e anëtarësisë sikurse ndodh edhe në partitë e djathta në vende perëndimore e posaçërisht këtu ku jetojmë.
Dega jonë është në proces të plotë konsolidimi, anëtarësimesh të reja e ringritje të strukturave partnere si FRPD dhe Lidhja Demokratike e Gruas. Angazhohemi që së bashku të jemi mishërues të idealeve më të mira të kësaj force politike e ngritur mbi parime themelore demokratike dhe euro-atlantike.
Muajt e fundit kemi shënuar progres, sa i takon anëtarësimeve, dhe zgjerimit me seksione të reja, mbajtjes se komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet nesh dhe me Partinë Demokratike në Tiranë. Disa herë gjatë këtyre muajve eksponentë të PD – Dega Britani e Madhe, udhëtuan drejt Tiranës për të qenë të pranishëm fizikisht në aktivitete me peshë politike.
Shumë të nderuar pjesëmarrës,
Me ndihmën tuaj ne po përmbushim një plan-pune vjetor si degë, anëtarësimet janë në rrugë të mbarë dhe së shpejti do të mbajmë një mbledhje të veçantë për të prezantuar hartën e re të shtrirjes së seksioneve dhe anëtarësimeve. Gjithashtu web-faqja informative tashmë është një realitet, ndërkohë po vijohet me pikat e tjera të këtij plani pune, deri në përmbushjen e gjithë se secilës prej tyre.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe partnerët e saj në botë.
Zoti e bekoftë Partinë Demokratike.
Faleminderit!
Shkëlzen Rrustemaj
Drejtues i Degës së Partisë Demokratike, Britani e Madhe
