Sot me datë 22.01.2023, Dega e Partisë Demokratike në Britaninë e Madhe, festoi
gjashtë vjetorin e themelimit të saj. Në këtë takim morën pjesë themelues të degës,
të rinj nga FRPD si dhe Lidhja Demokratike e Gruas.
Takimi u përshëndet nga dhjetoristët Dr. Milaim Nela dhe ish deputeti Myslim
Murrizi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Këshillit
Kombëtar.
Drejtuesi i degës, z. Shkëlzen Rrustemaj falenderoi të gjithë themeluesit e degës
dhe theksoi se kjo nismë ka qenë një arritje , për demokratët shqiptarë me banim në
Britani të Madhe.
Ngritja e një strukture politike në Britani, përbën një moment me rëndësi për
emigrantët shqiptarë, pasi dëshmon se ata janë integruar dhe se janë në gjendje të
organizohen politikisht, si për të kontribuar për vendin por edhe për të kërkuar të
drejtat e tyre.
Të pranishmit theksuan në diskutimet e hapura, rëndësinë e vijimësisë së
funksionit të kësaj dege, shpeshtimin e mbledhjeve, konsolidimin e saj si dhe një
prani më të madhe në jetën politike shqiptare, duke konstatuar se situata politike
është e rëndë dhe se rikthimi në pushtet i Partisë Demokratike, është e vetmja
alternativë.


























