Nga: Adem Marku
(FRPD, Britani e Madhe).
Koha e të rinjve të diasporës.
Sot ndodhemi në një moment të rëndësishëm për kombin tonë, një moment ku e kaluara na flet me zë të lartë dhe e ardhmja na fton të marrim përgjegjësinë për të. Ne jemi pjesë e një brezi që nuk ka privilegjin të qëndrojë indiferent. Jemi brezi që duhet të ndërtojë, të guxojë dhe të luftojë për një Shqipëri më të drejtë, më të lirë dhe më të përparuar.
Sot, ne si të rinj në diasporë, kemi mundësinë dhe detyrimin të vaizhdojmë këtë mision, por me një qëllim të ri: të ndërtojmë një shtet modern, të drejtë dhe të bazuar mbi vlerat demokratike.
Kjo është arsyeja pse krijimi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD) në diasporë është jo thjesht një akt organizimi, por një bazë ideologjike,
që na mundëson ndërgjegjësimin për çështjet kombëtare, duke ndikuar në vendimmarrjen politike, sociale dhe ekonomike të vendit.
Të dashur të rinj,Ne jemi brezi i ndryshimit, brezi që mund ta bëjë Shqipërinë më të fortë dhe më të respektuar. Por ky ndryshim fillon duke qenë aktivë, duke bashkëpunuar dhe duke u angazhuar në mënyrë konkrete.
Përmes FRPD-së në diasporë, ne mund të jemi një zë i fuqishëm që përcakton drejtimin e së ardhmes sonë, po ashtu:
• Ne besojmë në lirinë individuale, si shtylla mbi të cilën qëndron dinjiteti njerëzor. Në një botë ku shpesh liria mbytet nga korrupsioni dhe autoritarizmi, ku ne duhet të jemi flamurtarët e saj.
• Ne besojmë në meritokracinë, në shpërblimin e aftësisë dhe punës së ndershme.
• Ne besojmë në identitetin tonë kombëtar, jo si një kufi, por si një themel që na lejon të lidhemi me botën pa humbur veten.
Të dashur të rinj,angazhimi ynë sot është një mision që shkon përtej politikës së përditshme. Ne nuk luftojmë për pushtet, por për një kauzë. Kauza jonë është Shqipëria si një vend ku të rinjtë të mos largohen, ku drejtësia të mos jetë e blerë dhe ku mundësitë të jenë të barabarta për të gjithë.
Le të bëhemi brezi që nuk pajtohet me të keqen, që sfidon mediokritetin dhe që frymëzon një të ardhme më të mirë. FRPD në diasporë dhe për rastin tonë në Britani, është instrumenti ynë për ta realizuar këtë vizion.
Le të luftojmë bashkë për ta bërë këtë vizion realitet.
Shqipëria ka nevojë për ne – dhe ne kemi nevojë për Shqipërinë!
Faleminderit!
Londër, Janar 2025.
