Mbledhja e radhës e Degës së Partisë Demokratike në Britani të Madhe.

Më 17 shtator 2023, u mbajt mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike, Dega Britani e Madhe, me rend dite:

  1. Organizimi dhe fuqizimi i degës, (mbledhje opinionesh, finalizim projekti;
  2. Zgjedhjet e Kukësit;
  3. Situata e rënduar me emigrantët shqiptarë në Uk, (mbledhje propozimesh, konsiderimi i një reagimi të mundshëm).

Në mbledhje morën pjesë shumica e kryesisë, si dhe dy përfaqësues të “Departamentit Brain Gain”, të Partisë Demokratike të Shqipërisë, znj Besa Manaj dhe z. Daniel Nikollaj.

z. Shkelzen Rustemaj, drejtues i Degës, paraqiti rendin e ditës, ku edhe kërkoi zhvillimin e një bashkëbisedimi të lirë, rreth pikave të rendit të ditës. Nga ana tjetër, ai u ndal posaçërisht te zgjedhjet lokale në Kukës.

Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për komunitetin e kuksianëve si në Shqipëri, ashtu dhe atij në diasporë, veçanërisht me banim në Britani të  Madhe. Ai kërkoi që votuesit potencial të Bashkisë Kukës me banim në Britani, brenda mundësive të tyre, të jenë të pranishëm ditën e zgjedhjeve për t’i mundësuar fitoren kandidatit opozitar atje.

Kjo pikë e rendit të ditës, u shtrua për diskutim, ku përpos të tjerash diskutantët nënvizuan:

  • Problematikën e blerjes së votave;
  • Ndërhyrja e të gjitha institucioneve në fushatë, në krah të kandidatit të partisë në pushtet;
  • Pamundësia e PD-së, për caktimin e përfaqësuesve të saj në qendrat e votimit;
  • Risku i manipulimit dhe tjetërsimit të vullnetit popullor, nëpërmjet tjetërsimit të dokumenteve zgjedhore;
  • Tendencat manipuluese nëpërmjet propagandës së opozitarizmit të rrejshëm në fushatë;
  • Pamundësia e votës së drejtpërdrejtë të diasporës, nga shtetet ku ata jetojnë, në rastin konkret të votuesve kuksianë.

Gjithashtu pati dhe disa sugjerime, për fushatën dhe administrimin e procesit zgjedhor, të cilat u vendos ti adresoheshin kandidatit.

Të pranishmit vlerësuan jetëshkrimin profesional dhe aktivitetin civil të z. Emri Vata, kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Kukës. Një pjesë e të pranishmeve, konsideruan mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje ditën e votimit, si dhe u angazhuan për njoftimin dhe sensibilizimin e rrethit të tyre.

Edhe për pikat e tjera pati diskutime me interes, sa i takon realitetit diskriminues të emigrantëve shqiptarë në Britani të Madhe, që tashmë është kaq i dukshëm. Në këtë drejtim u vendos të konsiderohet krijimi i një platforme sensibilizuese on-line, ku:

  1. Të evidentohet situata reale ku gjindet komuniteti shqiptar;
  2. Të hartohen paketa e kërkesave për institucionet shtetërore britanike.

Për sa më sipër, u vendos ngritja e një grupi pune për përgatitjen e platformës on-line për një reagim civil të komunitetit shqiptar, ndaj stigmatizimeve të vazhdueshme dhe trajtimit jo-proporcional në raport me komunitetet e tjera, si dhe marrëveshjet ndërshtetërore, Shqipëri-Britani e Madhe, u konsideruan si në mospajtim me interesat e këtij komuniteti, pasi zbatueshmëria e tyre shkakton drama sociale dhe shkelje të drejtave të njeriut.