Përfaqësues të Partisë Demokratike i bashkohen konservatorëve britanike në takimin e korrikut 2023.
Konservatorët Britanikë me 18 korrik 2023, mbajtën një takim të rëndësishëm në “South Herts Golf Club”, me pjesëmarrjen e figurave qendrore të partisë nga shumë rajone të Britanisë së Madhe, burokratëve të partisë së kryeministrit Sunak, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme, etj.
Si përfaqësues i lartë i partisë mori pjesë znj. Suella Braverman, Sekretare e Shtetit për Çështjet e Brendshme, ( Secretary of State for the Home Department), e cila mbajti edhe fjalimin kryesor në ketë eveniment.
Partia Demokratike e Shqipërisë u përfaqësua nga, z. Enri Ceno – Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike të Shqipërisë, z. Shkëlzen Rustemaj-Drejtues i Partisë Demokratike, Dega Britani e Madhe së bashku me zonjën dhe z. Meriman Braha-Anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dega Britani e Madhe po ashtu me zonjën, duke respektuar edhe protokollin e aktivitetit, sipas formatit britanik.
Z. Ceno dhe Rustemaj, përfituan nga rasti, për ti vënë në dukje se përgjithësimi i një komuniteti është diçka që nuk i shërben realitetit për komunitetin shqiptar dhe se zonja duhet të informohet më saktë rreth emigrantëve shqiptarë, arsyeve të emigrimit masiv, për ç’arsye nëse do të ishte e nevojshme kanalet e PD, do të mundësonin për konservatorët në çdo kohë informacione konkrete rreth këtij eksodi masiv, krejtësisht i lidhur me keqqeverisjen, mungesën e perspektives dhe korrupsionin masiv të qeverisjes socialiste prej 10 vitesh.
Mungesa e informacionit u evidentua më herët gjatë kësaj jave edhe nga lideri i PD, Dr. Sali Berisha gjatë një konference të posaçme mediatike, ku ai provoi nëpërmjet një raporti se shpallja non grata e tij nga Britania e Madhe ishte një proces jo transparent dhe i pambështetur në prova.
Partia Demokratike i qëndron fort filozofisë së saj, për një komunikim intensiv me të gjitha qeveritë e hapësirës së BE, Britanisë dhe Amerikës, si një parti e ngritur mbi devizën studentore “E duam Shqipërinë si të gjithë Evropën”, ndaj bashkëpunimi jonë me konservatorët britanikë do të vijojë, duke qenë të bindur se vetëm nëpërmjet komunikimit duke shmangur kanalet dezinformuese që kanë për qëllim eliminimin e opozitës, çdo çështje sado e rënde, do marrë zgjidhjen e duhur.
I falënderojmë autoritetet për ftesën dhe shprehim mirënjohjen për mikpritjen dhe bashkëpunimin ndërmjet të dy partive tona.
Nga Meriman Braha – Londër.







